Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup fëmijësh me diabet


Prishtinë; 14.11.2012

Me rastin e 14 nëntorit, Ditës Botërore të Diabetit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, sot, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, priti një grup fëmijësh dhe adoleshentësh me diabet, të shoqëruar nga prindërit e tyre dhe stafi profesional mjekësor, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që merren me këtë problematikë.

Duke iu uruar mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, kryetari Krasniqi tha se kjo ditë duhet të shërbejë, jo vetëm për t'i kujtuar njerëzit, e sidomos fëmijët, që e kanë shkallën e parë të diabetit, por edhe për t'u kujdesuar për ta, çdo ditë.

"Jemi të vetëdijshëm që si shoqëri, si institucione dhe si prindër, jo gjithë herë i kemi mundësitë për t'i përmbushur nevojat dhe obligimet për qytetarët tanë. Por, mund t'ju them që ne do të jemi në shërbim të secilit qytetar, i cili ka nevojë që të ketë një përkujdesje për shëndetin dhe jetën e tij", tha kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se do të kërkojë që shpenzimet financiare që kërkon mosha e tyre, të jenë obligim i shoqërisë dhe i institucioneve.

Pediatrja Vjosa Mulliqi, theksoi nevojën për marrjen e masave për parandalimin e rritjes së rasteve me diabet, duke ndikuar në secilën sferë të shoqërisë. Ajo tha se fëmijëve me diabet u duhet ofruar përkrahje të madhe që nga dita e parë e diagnozës.

Ujëjeta Shatri dhe Gent Sadiku, fëmijë të prekur nga diabeti, shkoqitën detaje nga përditshmëritë e tyre, duke prezantuar vizionet dhe ëndrrat që ata kanë për të ardhmen, por edhe veçantitë që i karakterizojnë.

Kommentare